Qeveria vë në rrezik HEC-et e vegjël! Tentohet prishja e njëanshme e kontratave koncesionare, Deklaratë për Media, 18 Qershor 2016

Qeveria shqiptare po
detyron prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike të nënshkruajnë një kontrate
te re për shitjen e energjisë së prodhuar prej tyre, duke shkelur të drejtat që
ata i kanë fituar ligjërisht më parë dhe duke vënë në dyshim të ardhmen e tyre.

Ajo ka vendosur t’ua
transferojë kontratat nga KESH në OSHEE. Por kjo shihet si një lëvizje me risk
te madh. OSSHE nuk i ka atributet e një kompanie që mund t’i jepet Detyrimi i
Shërbimit Publik lidhur me tërheqjen e energjisë nga prodhuesit, pasi nuk ka as
licencat përkatëse për ta kryer këtë rol. Vendimi krijon kushte pasigurie deri
në rrezikun për falimentimin e këtyre prodhuesve vendas e të huaj që kanë
investuar në Shqipëri qindra miliona euro.

Në këtë mënyrë
prodhuesit e vegjël të energjisë po përdoren si eksperiment nga qeveria për të
provuar modelin e ri të tregut. Por kostoja e këtij eksperimenti pritet të ketë
pasoja të rënda.

Sipas draftit kontratës
që po harton ERE, HEC-et e vegjël siç paracaktohet në kontratat që do të duhet
të nënshkruajnë me OSHEE, do të mund të shesin vetëm një pjesë të prodhimit.
Pjesën tjetër e energjisë që prodhojnë në periudhat e pikut, pas përmbushjes së
kërkesës për te mbuluar humbjet e rrjetit, nuk do te tërhiqet nga ana e Operatorit
të Sistemit të Shpërndarjes.

Kjo do të cenonte të
drejtën e prodhuesve të energjisë në vazhdimësi për të shitur të gjithë
energjinë e prodhuar prej tyre sidomos në periudhat e pikut dhe ato të natës. Me
kontratat koncesionare, në bazë të të cilave operatorë të ndryshëm ekonomikë
investuan miliona euro në fushën energjisë së rinovueshme, blerja e energjisë
garantohej nga KESH.

Me kalimin e kontratave
te OSHEE nuk garantohet blerja totale e energjisë edhe për shkak të aftësisë
blerëse që OSHEE do te ketë në të ardhmen.

Me modelin e ri të
tregut, funksioni i Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) që qeveria
parashikon t’i japë OSHEE-së, do të hiqen shumë konsumatorë dhe për pasojë edhe
aftësia e tij do të ulet më tej.

Prodhuesit kanë kërkuar
që transferimi i çdo kontrate të bëhet tek një Operatori i Energjisë se
Rinovueshme me te gjitha garancitë e fituara nga kontrata e koncesionit. Por
deri tani nuk kanë marrë asnjë garanci nga qeveria.

Prishja e njëanshme e
të drejtave të fituara më parë ligjërisht nëpërmjet kontratave koncesionare jo
vetëm ka krijuar pasiguri tek këta investitorë vendas e të huaj, por rrezikon
ta shohë qeverinë shqiptare në arbitrazh përballë tyre, për prishje të
njëanshme të kontratave.